Secondary Adv

Nga hotelet te kafja, turizmi ndikoi në 54 për qind të rritjes së çmimeve në dhjetor

Në dhjetor, tre grupe të lidhura drejtpërdrejt me turizmin kontribuuan në më shumë se gjysmën e inflacionit, duke rritur ndjeshëm koston e jetesës për familjet shqiptare.

Në muajin dhjetor, teksa inflacioni vjetor u regjistrua në nivelin 2.2 për qind, ndikimi kryesor në rritjen e çmimeve erdhi nga aktivitetet e lidhura drejtpërdrejt me turizmin. Sipas të dhënave të INSTAT, tre grupe shpenzimesh sollën rreth 54 për qind të rritjes totale të çmimeve.

 

Grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dha ndikimin më të madh, me 0.96 pikë përqindje në inflacionin e dhjetorit. Pas tij renditen “Hotele, kafene dhe restorante”, me një ndikim prej 0.15 pikë përqindje, si dhe “Argëtim dhe kulturë”, me 0.08 pikë përqindje.

Edhe pse në dhjetor ky efekt ishte më i dukshëm, kjo prirje ka qenë e pranishme gjatë gjithë vitit 2025. Inflacioni mesatar vjetor ishte 2.2 për qind, por struktura e tij tregon se një pjesë e konsiderueshme e rritjes së çmimeve buron nga rritja e kërkesës turistike, përmes akomodimit, shërbimeve, ushqimit jashtë shtëpisë, transportit dhe qirave.

 

Turizmi po e zhvendos presionin inflacionist

Të dhënat e INSTAT për vitin 2025 tregojnë se presionet inflacioniste janë bërë më selektive dhe janë përqendruar kryesisht në sektorë që lidhen me flukset turistike dhe kërkesën sezonale, më shumë sesa me konsumin vendas.

 

Në krye të rritjes vjetore qëndruan shërbimet e akomodimit, me një rritje prej 6.5 për qind, si dhe grupi “Argëtim dhe kulturë”, i cili u shtrenjtua me 5.6 për qind. Këto zhvillime reflektojnë zgjerimin e aktivitetit turistik dhe rritjen e kërkesës për shërbime rekreative.

Paralelisht, u shënuan rritje të forta edhe në shërbimet e konsumit jashtë shtëpisë. Çmimet e kafesë, çajit dhe kakaos u rritën me 5.4 për qind, pijet alkoolike me mbi 3 për qind, ndërsa ushqimet e përdorura gjerësisht nga baret dhe restorantet, si mishi dhe produktet e bulmetit, u shtrenjtuan ndjeshëm.

 

Transporti dhe shërbimet nën ndikimin e turistëve

Shërbimet e transportit u rritën me 3.9 për qind gjatë vitit, pavarësisht se grupi i transportit në tërësi shënoi rënie, për shkak të uljes së çmimeve të karburanteve. Kjo tregon se kërkesa turistike ka ushtruar presion mbi çmimet e shërbimeve, edhe kur faktorë të tjerë kanë vepruar në drejtim të kundërt.

 

Qiratë, faktori më i ndjeshëm social

Një element kyç në strukturën e inflacionit për vitin 2025 ishin qiratë, të cilat shënuan një rritje mesatare vjetore prej 4.5 për qind. Rritja u përshpejtua ndjeshëm në gjysmën e dytë të vitit, duke arritur kulmin në dhjetor me rreth 8 për qind.

 

Ky zhvillim lidhet ngushtë me orientimin e një pjese të madhe të banesave drejt qiradhënies afatshkurtër për turistët, veçanërisht në zonat urbane dhe bregdetare. Si pasojë, oferta për banim afatgjatë është tkurrur, duke ushtruar presion mbi çmimet për familjet vendase. Sipas të dhënave nga agjencitë imobiliare, çmimet e qirave për apartamente 1+1 në Tiranë kanë arritur deri në 900 euro në muaj në zonat më të kërkuara. Në rang vjetor, rritja e qirave vlerësohet të ketë qenë nga 6 deri në 57 për qind, në varësi të zonës.

 

Turizmi dhe kostoja e jetesës

Rritje çmimesh janë shënuar edhe në nën-grupe të tjera të lidhura me turizmin, si furnizimi i hoteleve me mobilie dhe tapiceri. Çmimet e tekstileve dhe tapeteve janë rritur me 5 deri në 6.4 për qind, të ndikuara nga importet dhe kërkesa në rritje.

Në vitin 2025, Shqipërinë e vizituan më shumë se 12 milionë shtetas të huaj, duke rritur ndjeshëm kërkesën për akomodim, kafe, restorante dhe argëtim. Siç reflektohet edhe në të dhënat e inflacionit, kjo rritje e kërkesës po përkthehet në shtrenjtim të kostos së jetesës për qytetarët vendas.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat